Rubrika “ShqipCAN-shqiptarët munden” sjell Dr. Faton Bislimi

Në episodin e nëntëmbëdhjetë të rubrikës “ShqipCAN-shqiptarët munden” sjellim Dr. Faton Bislimi, figurë e spikatur në fushën akademike, politike dhe diplomatike, me një karrierë të dalluar në shërbim të Kosovës dhe çështjes shqiptare.
I lindur në Gjilan, Dr. Bislimi ka ndjekur studimet universitare dhe pasuniversitare në institucione prestigjioze në SHBA dhe Kanada, përfshirë Harvard University.
Me një karrierë të pasur akademike në Kanada, Dr. Bislimi ka ligjëruar në Mount Saint Vincent University dhe Dalhousie University, si dhe është përfitues i bursës prestigjioze Joseph Armand Bombardier Doctoral Scholarship. Si përfaqësues aktiv i komunitetit shqiptar, ai ka luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen e ndërgjegjësimit politik për Kosovën në skenën kanadeze.
Gjithashtu, ai ka qenë i pari deputet që vinte nga diaspora në Kanada si edhe ka udhëhequr Grupin e Miqësisë Parlamentare Kosovë–Kanada.
Përmes fondacionit të tij, The Bislimi Group Foundation, ai ka kontribuar gjithashtu në projekte shkëmbimi arsimor, duke ndërtuar ura bashkëpunimi ndërmjet institucioneve akademike në Kanada dhe Kosovë.
Në planin ndërkombëtar, ai ka qenë një zë i fuqishëm për Kosovën dhe për çështjet shqiptare në SHBA, veçanërisht në Washington, D.C., ku ka bashkëpunuar për mbi dy dekada me figura të rëndësishme të politikës së jashtme amerikane nga të dy krahët politikë.
Aktualisht, Dr.Bislimi është emëruar nga qeveria federale kanadeze si Anëtar Vendimmarrës i Bordit të Imigracionit dhe Refugjatëve të Kanadasë.
Në shkurt 2025, ai është nderuar me medalje me rastin e Kurorëzimit të Mbretit Charles III, në vlerësim të kontributit të tij në avancimin e interesave kombëtare dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kanadasë me Shqipërinë dhe Kosovën.