Cancel Preloader

DW – Uria dhe pengjet në Rripin e Gazës

 DW – Uria dhe pengjet në Rripin e Gazës

Bahri Cani

Palestinezët në Rripin e Gazës po vdesin nga uria. Hamasi po kundërvihet me imazhe të pengjeve të torturuar izraelitë. Trump thuhet se ka një plan për t’i dhënë fund gjithçkaje.

https://p.dw.com/p/4yTOB
Njerëz të veshur me të zeza dhe maska të Hamasit duke dorëzuar kufomat e pengjeve të vrara në Rripin e Gazës
Hamasi dorëzon pengjet e vraraFotografi: Hatem Khaled/REUTERS
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mblidhet urgjentisht për të diskutuar gjendjen e pengjeve izraelite që mbahen ende nga Hamasi – në një gjendje të rëndë shëndetësore – sipas burimeve izraelite.

Hamasi, të cilin BE, SHBA, Gjermania dhe të tjerë e konsiderojnë një organizatë terroriste, besohet se mban pesëdhjetë pengje të tjera të marra në tetor 2023 – rreth njëzet prej tyre janë ende gjallë.

Hamasi ka publikuar pamje propagandistike që tregojnë Eviatar Davidin (24), një nga pengjet, të uritur dhe në gjendje të keqe shëndetësore. Në pamje ai duket se po gërmonte varrin e tij në një nga tunelet e kontrolluara nga Hamasi.

“Kur e shoh kështu, nuk besoj se mund të jetojë më shumë se disa ditë në këto kushte”, tha Tal Shoam për ARD. Ai ka qenë vet midis pengjeve para se të shkëmbehej. Ai thotë se e njohu tunelin në të cilin ishte mbajtur me Davidin për muaj të tërë.

Territoret palestineze në Beit Lahia 2025 | palestinezët bartin ndihmat humanitare Territoret palestineze në Beit Lahia 2025 | palestinezët bartin ndihmat humanitare
Gjendja dramatike humanitare në GazëFotografi: Ebrahim Hajjaj/REUTERS
Videoja ka shkaktuar kritika dhe indinjatë ndërkombëtare. Duke pasur parasysh gjendjen e pengjeve, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu ka kërkuar ndihmë nga Kryqi i Kuq. Ai tha se do të vazhdojë me vendosmëri angazhimin deri në shkatërrimin e Hamasit dhe çlirimin e pengjeve. Ndërsa Hamasi i ka hedhur poshtë kërkesat për ndihmat e Kryqit të Kuq, pa plotësimin e kushteve të tij.

Përfaqësuesit e Hamasit thonë, se do ta lejojnë Kryqin e Kuq të ndihmojë pengjet, vetëm nëse Izraeli lejon menjëherë që ndihmat humanitare t’u dërgohen popullsisë së Gazës dhe ndalon sulmet ajrore gjatë shpërndarjes së ndihmës.

“Pushtim” i të gjithë Rripit të Gazës?
Ministri i Brendshëm izraelit, një politikan i krahut të djathtë radikal, Itamar Ben-Gvir, ka bërë thirrje që “i gjithë Rripi i Gazës të pushtohet sot”, të shpallet sovraniteti izraelit atje dhe popullsia palestineze të “inkurajohet të emigrojë vullnetarisht”.

Izrael Jerusalem 2024 | Ministri izraelit Itamar Ben-Gvir, i shoqëruar nga truprojet Izrael Jerusalem 2024 | Ministri izraelit Itamar Ben-Gvir, i shoqëruar nga truprojet
Ministri Itamar Ben-Gvir kërcënon me okupimFotografi: Ohad Zwigenberg/AP Photo/dpa/picture alliance
Izraeli po përballet me akuza për spastrim etnik gati dy vjet pas sulmeve terroriste të Hamasit që vranë rreth 1,200 vetë dhe morën 250 pengje.

Gjatë hakmarrjes izraelite, pjesa më e madhe e Rripit të Gazës u rrafshua. Sipas disa vlerësimeve, rreth 60,000 palestinezë u vranë, një e treta e tyre fëmijë. Kështu pohon Ministria e Shëndetësisë në Gazë, e kontrolluar nga Hamasi.

Popullsia është e futur në zona që përbëjnë gati dhjetë përqind të Rripit të vogël të Gazës dhe janë të furnizuara shumë dobët – shumë vetë po vdesin nga uria. Kjo është arsyeja pse Izraeli kritikohet vazhdimisht nga Kombet e Bashkuara dhe shumë vende të ndryshme.

Trump dëshiron një paqe gjithëpërfshirëse?
Amerikanët, nga ana tjetër, thuhet se kanë një plan për t’i dhënë fund gjithçkaje – si luftës ashtu edhe vuajtjeve të pengjeve.

Siç raportohet nga portali Axios dhe disa media izraelite, presidenti i SHBA-së Donald Trump po përpiqet të ndryshojë qasjen e tij – në vend të hapave të vegjël, armëpushimeve dhe ndihmave të vogla humanitare, ai thuhet se synon një zgjidhje gjithëpërfshirëse.

SHBA Uashington D.C 2025 | Benjamin Netanjahu dhe Donald Trump gjatë një takimi SHBA Uashington D.C 2025 | Benjamin Netanjahu dhe Donald Trump gjatë një takimi
Ka vërtet Trumpi një zgjidhje gjithëpërfshirëseFotografi: Alex Brandon/AP Photo/picture alliance
Hamasi militant ka njoftuar se armët janë “e drejta” e tyre për sa kohë që zgjat “pushtimi” – dhe se ata nuk do t’i dorëzojnë ato derisa të ketë një shtet palestinez.

Kështu Hamasi reagoi ndaj lajmeve për planet e SHBA-së jo vetëm për një armëpushim në Gaza, por edhe për t’i dhënë fund luftës dhe, që sipas disa burimeve nënkupton edhe çarmatimin e Hamasit.

“Jemi afër fundit të kësaj lufte”, tha i dërguari special i SHBA-së Steve Witkoff, i cili u takua me familjet e pengjeve izraelite të mbajtura nga Hamasi. “Kemi një plan për t’i dhënë fund luftës dhe për t’i sjellë të gjithë në shtëpi.”

Por tani për tani nuk i shihet fundit kësaj lufte dhe vuajtjeve të shumta të popullsisë civile.

 

    XLPress

    Postime të ngjashëm