Ambasada e ShBA-së në Kosovë
1. Historia e SHBA-së dhe Kosovës
2. Çështjet aktuale
Shtetet e Bashkuara hapën për herë të parë një Zyrë të Shërbimit të Informacionit Amerikan në Kosovë në vitin 1996. Midis viteve 1999 dhe 2008, Zyra Amerikane në Prishtinë veproi si mision diplomatik i Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, Shtetet e Bashkuara vendosën zyrtarisht marrëdhënie diplomatike me Kosovën dhe Zyra u shndërrua në Ambasadë. Në shtator 2012, Shtetet e Bashkuara iu bashkuan partnerëve të Grupit Ndërkombëtar Mbikëqyrës për të njohur përparimin e madh që ka arritur Kosova, përfshirë përmbushjen e zotimeve për të zbatuar dispozitat e planit të Emisarit të Posaçëm Ahtisaari dhe përfshirjen e tyre në ligjin e Kosovës, duke shpallur kështu përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur dhe shpërbërjen e Zyrës Ndërkombëtare Civile.
Që nga viti 1999, Shtetet e Bashkuara kanë kontribuar me trupa në Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR), e cila ka për detyrë të sigurojë një ambient të sigurt dhe të qetë dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës. Po ashtu, Shtetet e Bashkuara kanë kontribuar me staf në Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) që nga vendosja e tij në vitin 2008, duke shënuar herën e parë që SHBA mori pjesë në një mision të Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes të BE-së.
Ambasada Amerikane në Prishtinë
Qeveria e SHBA-së ka investuar rreth 2 miliardë dollarë në Kosovë që nga viti 1999, dhe më 4 korrik 2019 ka inauguruar dhe më pas është zhvendosur në ndërtesën e re të Ambasadës që kushtoi disa miliona dollarë, e ndërtuar në një hapësirë prej 12.4 hektarësh në lagjen Arbëria të Prishtinës, e rrethuar nga një përzierje eklektike ndërtesash të ndryshme për nga lartësia, materiali dhe përdorimi.
Ndërtesa e Ambasadës Amerikane jo vetëm që përfaqëson platformën diplomatike të Qeverisë së SHBA-së, por gjithashtu e forcon misionin e saj duke ofruar një shembull të sigurt, të qëndrueshëm dhe teknologjikisht të avancuar të arkitekturës, inxhinierisë dhe dizajnit urban amerikan.
https://xk.usembassy.gov/our-relationship/policy-history/history/?fbclid=IwY2xjawJiEyNleHRuA2FlbQIxMQABHhRntBfXLYTtoyNumHABYQXFGTRdxIipIE2B0-_pEv0Jo1GGxxk4ixH9-e3P_aem_3ElZ1wmYTkg136Vyn0TC0g