Albert Vataj
Ka momente në histori kur njeriu, i zhveshur nga çdo mjet dhe i rrethuar nga dështimi, shfaq një akt që tejkalon kufijtë e arsyes dhe mundësisë. Në një kohë kur lindja shpeshherë ishte një duel me vdekjen, kur mjekësia mbështetej më shumë në besim se në shkencë, një burrë, kasap nga Zvicra, vendosi të sfidojë fatin me duart e veta. Nuk ishte mjek, as kirurg. Ishte burrë, bashkëshort dhe dëshmitar i dhimbjes së pashpirt të gruas së tij. Ajo që ndodhi më pas nuk është vetëm një kapitull i hershëm i mjekësisë, por një dëshmi se kur dashuria dhe guximi bashkohen, historia ndryshon kurs.
Ky rrëfim është jo vetëm për një ndërhyrje kirurgjikale që parapriu një epokë të re, por edhe për një nga ata njerëz të zakonshëm që, në një çast të jashtëzakonshëm, bënë të mundur të pamundurën.
Në vitin 1500, në një cep të heshtur të Zvicrës, kasapi Jacob Nufer u përball me një zgjedhje që shumë do ta quanin të pamundur. Gruaja e tij kishte ditë të tëra që vuante në lindje të stërzgjatur e të dhimbshme. Trembëdhjetë mami, njëra pas tjetrës, kishin dështuar t’i jepnin zgjidhje asaj që po bëhej gjithnjë e më tepër një betejë për mbijetesë.
Në një epokë kur mjekësia moderne ishte ende në hapat e saj më të pasigurt, dhe kur ndërhyrjet kirurgjikale te gratë shtatzëna përfundonin zakonisht me vdekjen e nënës, nuk kishte as mjek, as teknikë të pranueshme për të ndërhyrë. Atëherë Nufer, i nxitur nga dashuria dhe dëshpërimi, mori një vendim rrënjësor: të shpëtonte gruan e tij me mjetet që kishte – jo mjetet e një kirurgu, por të një kasapi.
Duke u mbështetur në njohuritë e tij të anatomisë së kafshëve dhe intuitën e një njeriu që nuk kishte çfarë të humbiste, Nufer kreu atë që shumë historianë e konsiderojnë prerjen e parë cezariane të suksesshme te një grua që jetoi për të treguar. Në kundërshtim me çdo parashikim të asaj kohe, si gruaja ashtu edhe foshnja mbijetuan. E pamundura ndodhi.
Madje, historia e kësaj gruaje nuk përfundoi aty: ajo lindi edhe pesë fëmijë të tjerë në mënyrë natyrale, ndërsa foshnja e lindur me prerje cezariane jetoi deri në moshën 77-vjeçare – një jetëgjatësi e rrallë për standardet e shekullit XVI.
Kjo ngjarje mbetet një nga gurët themelorë të historisë së mjekësisë, edhe pse do të duheshin shekuj të tërë për ta shndërruar operacionin cezarian në një praktikë relativisht të sigurt. Megjithatë, akti i guximshëm dhe i rrezikshëm i Jacob Nuferit shënoi një pikë kthese: ai nuk ishte një mjek, por një burrë që vuri jetën e tij dhe të gruas së tij në një bast me vdekjen, dhe fitoi.
Ky episod frymëzues, i mbështetur nga të dhënat e ekspozitës mbi prerjen cezariane të Bibliotekës Kombëtare të Mjekësisë dhe revistat historike mjekësore, na kujton se ndonjëherë është ndjenja njerëzore, jo teknologjia, ajo që e shtyn botën përpara.